Pamje apokaliptike janë shfaqur nga qyteti i Rafah në Rripin e Gazës. Mijëra palestinezë nxituan grumbullohen në vendin ku filluan të shpërndahej ndihma e mundësuar nga një fondacion i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Njerëz të dëshpëruar kërkojnë për ushqimin dhe kapërcejnë me shpejtësi pengesat e kontrolleve biometrike dhe kontrolleve të tjera që Izraeli tha se do të përdorte.
Fondacioni Humanitar i Gazës tha se kishte shpërndarë rreth 8,000 kuti ushqimore, ekuivalente me 462,000 vakte, pas një bllokade 11-javore izraelite të enklavës së shkatërruar nga lufta.
Në qytetin jugor të Rafahut, i cili është nën kontrollin e plotë të ushtrisë izraelite, mijëra njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, disa në këmbë ose me karroca, u dyndën drejt vendeve të shpërndarjes së fondacionit për të marrë pako ushqimore.
Izraeli, pa dhënë prova, tha se Hamasi, grupi dominues militant i Gazës, ishte përpjekur të bllokonte civilët që të arrinin në qendrën e shpërndarjes së ndihmës. Nga ana e tij Hamasi i mohoi akuzat.
Më vonë të martën, zyra e mediave të Hamasit akuzoi ushtrinë izraelite për vrasjen e të paktën tre palestinezëve dhe plagosjen e 46 të tjerëve pranë një prej vendeve të shpërndarjes, ndërsa shtatë persona mbetën të zhdukur. Një zëdhënës i GHF tha se informacioni nga Hamasi ishte "krejtësisht i rremë".
Një zëdhënës i OKB-së i quajti imazhet e incidentit "zemërthyese". «Është një shpërqendrim nga ajo që na duhet vërtet», tha Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA), në Gjenevë të martën.
Fondacioni i sapothemeluar amerikan u akuzua gjithashtu për bashkëpunim të njëanshëm me Izraelin pa përfshirë palestinezët në shpërndarjen e ndihmës. Zyrtarët e OKB-së shprehën shqetësim se ndihma e GHF mund të “armatoset” duke kufizuar se kush e merr atë. (A2 Televizion)