
Një piton rreth 12 metra i gjallë, të cilit i kanë vënë emrin e një ylli të Hollywood-it, është tashmë i shëruar plotësisht pasi iu nënshtrua atij që besohet të jetë trajtimi i parë i kancerit për një gjarpër.
Jodie Foster, pitoni i Kopshtit Zoologjik Chester, iu nënshtrua elektrokimioterapisë pasi fibrosarkoma, një lloj i rrallë tumori, i shkatërroi një pjesë të nofullës.
Ekipi veterinar i kopshtit zoologjik punoi së bashku me specialistët e tumoreve në Universitetin e Liverpool-it për ta përshtatur këtë trajtim për përdorim te një gjarpër, për herë të parë.
Ian Ashpole, veteriner në “Chester Zoo”, hoqi tumorin dhe kreu më pas një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një pjese të kockës së sëmurë të nofullës së Fosterit.
Më pas, u aplikua elektrokimioterapia për të targetuar qelizat kancerogjene që mund të kishin mbetur.
Disa muaj pas procedurës, sipas raportimeve, Foster nuk ka asnjë shenjë nga tumori dhe ka nisur të ushqehet normalisht.
“Ta shohësh sërish në gjendjen e saj të zakonshme, të gjallë dhe plot energji, ka qenë jashtëzakonisht shpërblyese. Vetëm pak muaj më parë, sinqerisht nuk e dinim nëse do të mbijetonte. Tani ajo ushqehet normalisht, eksploron habitatin e saj dhe sillet pikërisht ashtu siç shpresonim,” tha Ashpole në një deklaratë për shtyp.
“Ky rast tregon gjithashtu se sa shumë po përparon mjekësia veterinare. Duke bashkuar veterinerët e kopshteve zoologjike me specialistët e kancerit, kemi arritur të përdorim një trajtim të zhvilluar për njerëzit për të shpëtuar një kafshë, në një mënyrë që nuk ishte provuar më parë,” shtoi ai. (A2 Televizion)