
Ushtria iraniane tha të shtunën se doktrina e saj ushtarake po ndryshon nga qasja “mbrojtëse në atë ofensive”, duke iu referuar mësimeve të nxjerra nga luftërat e fundit të vendit.
Gjeneral brigade Mohammad Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA se ndryshimi kishte ndodhur gradualisht gjatë asaj që ai e përshkroi si luftërat 12-ditore dhe 40-ditore.
“Doktrina ushtarake e vendit tonë ishte mbrojtëse në të kaluarën, por gradualisht gjatë këtyre dy luftërave, ne pamë që doktrina ushtarake të kalonte nga një qëndrim mbrojtës drejt një qëndrimi ofensiv”, tha Akraminia.
Ai theksoi se një doktrinë ofensive nuk nënkupton domosdoshmërisht kryerjen e operacioneve parandaluese, por tha se Irani e kishte përdorur këtë qasje në një moment gjatë luftës, duke goditur një bazë amerikane në Jordani përpara se SHBA-ja të hynte në konflikt.
Akraminia pretendoi se sulmi shkaktoi “dëme të rënda” në pajisjet, objektet dhe personelin amerikan.
Ai tha se elementë të tjerë të doktrinës ofensive përfshijnë reagimin e menjëhershëm ndaj çdo sulmi, ndërsa përgjigjja e Iranit mund të jetë më e gjerë se veprimi fillestar.
Sipas Akraminias, kalimi nga një doktrinë tërësisht mbrojtëse në një doktrinë ofensive u dëshmua gjatë luftës përmes përgjigjeve të shpejta dhe më të gjera ndaj sulmeve, si edhe përmes operacioneve parandaluese.
Shpërblim për vrasjen e trupave amerikane
Akraminia tha se ushtria kishte hartuar një plan që ofron shpërblime për vrasjen ose kapjen e trupave amerikane në rast të një ndërhyrjeje tokësore në territorin iranian.
Sipas tij, në kuadër të planit, pjesëtarët e forcave të armatosura ose civilët që posedojnë ligjërisht armë gjahu do të merrnin 5 miliardë tomanë, (rreth 26 mijë dollarë), për vrasjen ose kapjen e trupave amerikane që hyjnë në Iran.
Shpërblimi do të dyfishohej në 10 miliardë tomanë, (rreth 53 mijë dollarë), nëse veprimi do të kryhej nga një grua, shtoi Akraminia.
Ai tha se ushtria do të blinte gjithashtu armën e përdorur për dyfishin e vlerës së saj, do ta ruante atë në një muze ushtarak në emër të pronarit dhe do t’i jepte personit një armë të ngjashme në këmbim.
(A2 Televizion)