
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se e konsideron aktualisht Ngushticën e Hormuzit si “territor amerikan”, ndërsa ka thënë se Irani dëshiron një marrëveshje me Uashingtonin, por sipas tij, nuk është ende gati të pranojë kushtet e duhura.
“Do të donin të bënin një marrëveshje, por nuk janë gati të bëjnë marrëveshjen e duhur, sipas mendimit tim”, u shpreh Trump.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa SHBA-të pritet të shpallin të hënën sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, i ka cilësuar sanksionet e reja amerikane si një “deklaratë lufte” ndaj të gjitha kombeve. Ai ka akuzuar Uashingtonin për përpjekje për të imponuar sanksione përtej kufijve të tij.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë iraniane, gjeneral brigade Mohammad Akraminia, ka deklaruar se doktrina ushtarake e Iranit po ndryshon nga një qasje “mbrojtëse” në një qëndrim “ofensiv”.
Në planin diplomatik, ministrat e Jashtëm të Omanit dhe Iranit kanë zhvilluar një bisedë telefonike për rikthimin në negociata lidhur me një marrëveshje dypalëshe që do të përcaktonte mënyrën e kalimit të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ngushtica mbetet një nga pikat kryesore të përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit dhe trafiku i naftës përmes saj është reduktuar ndjeshëm.
Ndërkohë, tensionet vijojnë edhe në Liban. Izraeli ka vazhduar shembjet e ndërtesave dhe sulmet ajrore në disa zona të Libanit jugor, pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët. Ngushtica e Hormuzit dhe situata në Liban mbeten ndër pikat kryesore të tensionit në Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)