
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim dypalësh me ministrin italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi, në kuadër të Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026.
Delegacioni shqiptar shprehu interes të veçantë për eksperiencën italiane në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Milano Cortina 2026 dhe Lojërat Mesdhetare që sapo kanë nisur.
“Takim shumë produktiv dypalësh me Ministrin italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi. Me rastin e Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026, zhvilluam një bisedë pune me synimin për të konsoliduar më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Romës edhe në fushën e sportit e rinisë. Në veçanti, nënvizuam rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira mes dy vendeve, si dhe realizimin e projekteve konkrete, të zbatueshme në një afat të menjëhershëm, me fokus në formimin e drejtuesve dhe specialistëve teknikë, zhvillimin e infrastrukturës sportive, si dhe kërkimin e aplikuar në shkencën dhe mjekësinë sportive, me vëmendje të veçantë ndaj luftës kundër dopingut. Delegacioni shqiptar shprehu interes dhe vlerësim të veçantë për përvojën italiane në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, si Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Milano Cortina 2026 dhe Lojërat XX Mesdhetare, të sapofilluara”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të ministrit Gonxhja.
Brenda fundit të muajit shtator do të nënshkruhet një Protokolli Mirëkuptimi e Veprimi, i cili do të përcaktojë kuadrin institucional të bashkëpunimit, si dhe përmbajtjen, afatet dhe modalitetet konkrete të zbatimit të angazhimeve.
(A2 Televizion)