
Izraeli ka goditur objektiva ushtarake në Siri pas sulmeve ndaj civilëve druzë. Objektivat e goditura përfshinin një qendër komande dhe armatime në baza ushtarake që i përkasin regjimit sirian.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) sulmuan infrastrukturën qeveritare siriane në jug të vendit të enjten në mbrëmje, si përgjigje ndaj sulmeve ndaj popullsisë druze, njoftoi ushtria të premten.
Media lokale druze raportoi të enjten se forcat e sigurisë së brendshme siriane u sulmuan me predha. Pas kësaj, grupe të armatosura nga Garda Kombëtare, një grup paraushtarak druz, u panë duke lëvizur në zonën e Sweidës. “IDF nuk do të tolerojë dëmtimin e popullsisë druze në Siri dhe do të vazhdojë të veprojë për ta mbrojtur atë,” deklaroi një zëdhënës.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se Izraeli nuk do të lejojë që qeveria siriane të shfrytëzojë luftën e vazhdueshme kundër Hezbollah-ut dhe Iranit për të dëmtuar komunitetin druz. “Nëse është e nevojshme, do të godasim me më shumë forcë,” u shpreh ai.
Që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re në Siri, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, pakicat janë përballur me rrëmbime, dhunë seksuale dhe ndalime arbitrare, sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, raporton A2CNN.
Komisioni i pavarur ndërkombëtar i hetimit theksoi gjithashtu se, megjithëse shkeljet e të drejtave të njeriut vazhdojnë, autoritetet e reja siriane kanë ndërmarrë disa masa për përgjegjshmëri, përfshirë krijimin e komisioneve kombëtare hetimore. (A2 Televizion)