Në orën 06:00 të mëngjesit ka nisur armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza për të lejuar shkëmbimin e pengjeve nga shteti hebre me të burgosurit palestinezë.
Gjasat janë që pasdite të lirohen 13 pengje izraelite, të parët e një liste prej 50 personazh që mbahen të burgosur nga Hamasi prej 7 tetorit, të cilët do të “këmbehen” me 39 palestinezë, të gjitha gra dhe fëmijë.
Shërbimi penitenciar izraelit ka në dorë listën me 39 të burgosurit palestinezë që do të lirohen nga burgu Ofer në Bregun Perëndimor pak para mesditës, duke u dërguar në Jerusalemin lindor.
Pak orë pas nisjes, armëpushimi duket se po funksionon pasi trupat izraelite janë fotografuar duke u larguar nga Gaza teksa nis një periudhë e përkohshme paqeje.
Tanke dhe automjete të tjera ushtarake u panë duke lëvizur përgjatë kufirit të izraelit, ndërsa ushtarët buzëqeshnin dhe ngrinin duart në ajër në shenjë fitoreje.
Po ashtu, kamionët e parë me ndihma humanitare kanë hyrë në Gaza përmes pikës së kalimit kufitar Rafah.
Një kolonë e madhe kamionësh me ndihma ishte rreshtuar në pikën kufitare Rafah në gatishmëri përpara armëpushimit. Një zyrtar egjiptian ka zbuluar për CNN se të paktën 90 kamionë me ndihma dhe 7 autobote me karburant kanë hyrë deri më tani në Gaza.
Edhe koordinatori i Aktiviteteve të Qeverisë në Territore të Izraelit (COGAT) tha në një deklaratë se katër cisterna me karburant dhe katër cisterna që transportonin gaz për gatim hyn në Gaza.
"Karburanti dhe gazi i gatimit janë përcaktuar për funksionimin e infrastrukturës thelbësore humanitare në Gaza dhe u miratua nga qeveria izraelite si pjesë e armëpushimit”, shtoi COGAT.
Pritet që rreth 4 kamionë të ngarkuar me ushqime, ilaçe, ujë dhe karburant (midis 120 mijë dhe 150 mijë litra naftë) do të mbërrijnë në Gaza nga Egjipti çdo ditë duke filluar nga e premtja.
“Dyqind kamionë, të ngarkuar me ushqime, ilaçe dhe ujë, do të hyjnë çdo ditë për herë të parë që nga fillimi i luftës izraelite në Rrip”, tha Diaa Rashwan, kryetarja e Shërbimit Shtetëror të Informacionit të Egjiptit.
Rashwan tha se Egjipti do të vazhdojë të pranojë grupe personash të lënduar nga Gaza për trajtim dhe të lehtësojë evakuimin e të huajve dhe personave me shtetësi të dyfishtë që kanë ngecur në territor.
Gjithashtu për herë të parë që nga nisja e konfliktit, Egjipti do të lejojë palestinezët që dëshirojnë të hyjnë në Gaza përmes pikës kufitare Rafah.
(A2 Televizion)