
Europa mund të përballet me mungesë të karburanteve brenda pak ditësh, si pasojë e përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjes së furnizimeve globale me energji.
Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i kompanisë Shell, Wael Sawan, i cili thekson se situata po përkeqësohet me shpejtësi dhe efektet e saj po përhapen nga Azia drejt Europës.
Sipas tij, ndikimi i krizës është ndjerë fillimisht në vendet e Azisë Jugore dhe Lindore, ndërsa tashmë pritet që Europa të përballet me të njëjtat vështirësi, sidomos në furnizimin me produkte si nafta, benzina dhe karburantet për avionë.
Një nga arsyet kryesore është tensioni me Iranin dhe problemet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit në botë. Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe kufizime në furnizim, duke rritur frikën për mungesa reale në treg.
(A2 Televizion)