Gadishulli Iberik është prekur nga një ndërprerje masive e energjisë elektrike. Vendet e prekura janë Spanja dhe Portugalia. Besohet se një problematikë e tillë ka ndodhur edhe në jugun e Francës. Operatori spanjoll i rrjetit Red Eléctrica tha se mund të duhen gjashtë deri në dhjetë orë për të rivendosur energjinë në pjesë të mëdha të vendit. Kompania nuk pranoi të spekulojë mbi shkaqet e ndërprerjes së energjisë elektrike. Megjithatë, Qendra Kombëtare Portugeze për Sigurinë Kibernetike tashmë ka publikuar një deklaratë duke thënë se nuk ka indikacione se ndërprerja ishte për shkak të një sulmi kibernetik.
Eduardo Prieto, kreu i operacioneve në Red Eléctrica, megjithatë u tha gazetarëve se incidenti ishte i paprecedentë dhe e përshkroi atë si "të jashtëzakonshëm".
Spanja dhe Portugalia u paralizua nga një ngjarje e tillë. Madridi dhe Barcelona janë pa energji elektrike. Semaforët dhe shërbimet telefonike dolën jashtë funksionit kryesisht në qendër të Madridit. Sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, trafiku i trenave dhe hekurudhave gjithashtu u prekën në të gjithë Spanjën.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez udhëtoi menjëherë në selinë e operatorit shtetëror të rrjetit Red Eléctrica Española (REE) në Madrid. Sánchez drejtoi një takim urgjent për të koordinuar përgjigjen e qeverisë ndaj krizës së furnizimit.
I shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja María Jesús Montero, Ministrja e Mjedisit Sara Aagesen dhe Ministri i Transportit Óscar Puente, Sánchez aktualisht po mbikëqyr punën për rivendosjen e energjisë dhe hetimet e vazhdueshme për shkakun e ndërprerjes. Kreu i qeverisë udhëzoi ministritë përgjegjëse që të forcojnë ekipet e tyre teknike. (A2 Televizion)