
Bizneset e dëmtuara nga aktet e dhunshme gjatë protestave të 13–22 tetorit do të mund të kompensohen nga shteti për vlerën e plotë të dëmit të verifikuar.
Më pas, shteti do të kërkojë rikuperimin e shumave nga personat përgjegjës dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, edhe nga organizatorët e tubimit. Skema parashikohet në një akt normativ të Këshillit të Ministrave.
Shteti do të marrë përsipër fillimisht dëmshpërblimin e bizneseve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve të zhvilluara në periudhën 13–22 tetor 2026, pa pritur identifikimin e personave përgjegjës apo përfundimin e procedurave ndaj tyre.
Sipas relacionit shoqërues të aktit normativ, skema përfshin personat fizikë dhe juridikë privatë që ushtrojnë veprimtari si biznese ose tatimpagues, me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën e vitit 2025.
Kompensimi do të mbulojë vlerën e plotë të dëmit të verifikuar, por do të zbatohet për pasuritë e pasiguruara ose për pjesën e dëmit që nuk mbulohet nga sigurimi. Kërkesa do t’i nënshtrohet verifikimit nga institucionet përgjegjëse dhe kompensimi nuk do të jetë automatik.
(A2 Televizion)