Ukraina ka kundërshtuar armëpushimin treditor të shpallur nga kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, në përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana e saj, Ukraina ka paraqitur një ofertë për një armëpushim të menjëhershëm dhe afatgjatë. “Nëse Rusia vërtet dëshiron paqen, ajo duhet të pushojë menjëherë zjarrin”, shkroi Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha në X.
Ukraina është e gatshme të mbështesë një armëpushim të përhershëm, të qëndrueshëm dhe të plotë. Kjo duhet të zgjasë të paktën 30 ditë dhe jo vetëm gjatë paradës ushtarake në Moskë, ka shkruar Sybiha, raporton A2.
Putin pat shpallur më parë në mënyrë të njëanshme një armëpushim në Ukrainë për periudhën nga 8 deri më 10 maj, ndërsa Rusia përkujton 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. “Nga mesnata e 7-8 majit dhe deri në mesnatën e 10-11 majit, pala ruse shpall një armëpushim”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini. “Në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, forcat e armatosura ruse do të japin një përgjigje të përshtatshme dhe efektive”.
Çdo vit, Rusia feston 9 majin si Ditën e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, siç quhet në vend Lufta e Dytë Botërore. Një paradë e madhe ushtarake është planifikuar në Sheshin e Kuq. Priten krerë të shumtë shtetesh, përfshirë Xi Jinping nga Kina. Krerët e shteteve perëndimorë po qëndrojnë larg kësaj demonstrimi fuqie në funksion të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Putini njoftoi së fundmi një armëpushim për festat e Pashkëve. Edhe pse luftimet u qetësuan me kalimin e kohës, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të përsëritura të armëpushimit. Njoftimi i armëpushimit treditor erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump i bëri thirrje palës ruse që të "ndalojë të shtënat" dhe që Putini "të nënshkruajë një marrëveshje" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara aktualisht po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim të qëndrueshëm midis Moskës dhe Kievit. Megjithatë, deri më tani, Kremlini nuk ka qenë i përgatitur të bëjë ndonjë lëshim. (A2 Televizion)