
Në ditën e 10-të të protestës, qytetarët u mblodhën që prej orës 09:00 përpara Parlamentit, me synimin për të penguar zhvillimin e punimeve të seancës plenare.
Për të tretën ditë radhazi, protestës iu bashkuan edhe pedagogët. Ata u grumbulluan fillimisht përpara Universitetit Politeknik dhe më pas, me pankarta në duar, marshuan drejt Parlamentit në mbështetje të studentëve.
“Ne, si përfaqësues të 1 700 pedagogëve që kanë firmosur deklaratën e Forumit të Dialogut Politik, jemi në mbështetje të kërkesave tuaja për një arsim cilësor, për të drejtën tuaj për të ardhmen e kombit, si dhe për dorëheqjen e Edi Ramës, i cili ju ka faturuar kostot më të larta arsimore në rajon, një shëndetësi inekzistente dhe ju ka dhënë modelin më të keq të mundshëm se si arsimohet, punësohet dhe jetohet në Shqipëri”, u shpreh një përfaqësues i pedagogëve.
Afrimi i protestuesve pranë kordonit policor u shoqërua me debate mes tyre dhe efektivëve të policisë. Disa prej protestuesve hoqën gardhin metalik të vendosur më herët.
Një tjetër përplasje u regjistrua pranë kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit, ku një protestuese tentoi të kalonte kordonin policor, duke u konfliktuar me një efektiv.
Pedagogët përsëritën thirrjen për solidarizim me kërkesat e studentëve dhe u shprehën se bojkoti do të vijojë.
Me përfundimin e seancës plenare, policia hoqi perimetrin e sigurisë dhe protestuesit vijuan marshimin. Ndalesa e radhës ishte Kryeministria.
Aty, nën thirrjet “Nuk ka dialog”, protestuesit përmbysën stolat prej guri përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa vijuan të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. (A2 Televizion)