Në fillim një fishekzjarrë… më pas dhunë policore. Përplasje të dhunshme janë shënuar në qytetin spanjoll A Coruña mes policisë dhe protestuesve kundër së djathtës ekstreme, pas një tubimi të partisë Vox. Mijëra persona u mblodhën në sheshin Maria Pita për të protestuar kundër asaj që organizatorët e cilësuan si “fashizëm dhe dhunë policore”.
Përplasjet nisën pas konfrontimeve të mëparshme mes mbështetësve të Vox, kundërshtarëve të tyre dhe forcave të rendit gjatë vizitës së liderit të partisë, Santiago Abascal. Policia përdori shkopinj gome dhe plumba gome për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe dogjën kazanë mbeturinash në rrugë.
Pamjet tregojnë forcat e policisë duke avancuar në formacion dhe duke shtyrë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u rrëzuan në tokë gjatë përleshjeve. Protestuesit brohorisnin slogane kundër policisë dhe e quanin veten “antifashistë”.
Santiago Abascal akuzoi qeverinë socialiste të Spanjës se po lejon intimidimin dhe sulmet ndaj aktiviteteve elektorale të partisë së tij, duke paralajmëruar se fushata do të shoqërohej me dhunë ndaj mbështetësve të Vox. Tubimi në Galicia ishte aktiviteti i parë parazgjedhor i Abascal në këtë rajon, ku Vox aktualisht nuk ka përfaqësim politik. (A2 Televizion)