Pas 41 vitesh burg, Abdallah lirohet nga Franca, burgimi më i gjatë për konfliktin izraelito-palestinez

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 07:51 | Bota

Pas 41 vitesh burg, Abdallah lirohet nga Franca, burgimi më i gjatë

Franca do të lirojë të premten Georges Abdallah, mësuesin 74-vjeçar nga Libani, i burgosur për 41 vite si i përfshirë në vrasjen e dy diplomatëve, një amerikan dhe një izraelit, në vitet ’80. Ai do të dëbohet menjëherë drejt Bejrutit, duke i dhënë fund burgimit më të gjatë në Evropë për çështje të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez.

Abdallah ishte pjesë e një grupi të vogël marksist-leninist të quajtur Fraksionet Revolucionare të Armatosura Libaneze, që në vitet 1980 ndërmori disa sulme ndaj objektivave amerikane dhe izraelite në Evropë. Në vitin 1982, grupi vrau diplomatin amerikan Charles Ray në Strasburg dhe atë izraelit Yakov Barsimantov në Paris. Një atentat me makinë bombë, gjithashtu i atribuar grupit, vrau dy ekspertë francezë të çminimit, shkruan A2 CNN.

Pavarësisht se mund të lirohej me kusht që prej vitit 1999, Abdallah u mbajt pas hekurave për më shumë se katër dekada, për shkak, sipas mbështetësve, të presionit të vazhdueshëm nga SHBA dhe Izraeli ndaj autoriteteve franceze. Në vitin 2013, një letër e Hillary Clinton, atëherë Sekretare e Shtetit, i kërkonte Francës të “kontestonte ligjërisht” vendimin për lirimin e tij. Vendimi u bllokua.

Në qelinë e burgut në Lannemazan, Abdallah mbante imazhe të Che Guevarës dhe letra mbështetëse nga aktivistë ndërkombëtarë. Ai deklaroi se kauza palestineze e ka mbajtur të qëndrueshëm psikologjikisht.

Gjykata franceze vendosi këtë vit se dënimi i tij kishte qenë në “përmasa të mëdha” dhe se nuk përbën më rrezik. Aktivistë të majtë, shkrimtarë si fituesja e Nobelit Annie Ernaux dhe madje edhe ish-shefi i inteligjencës franceze, e kanë quajtur mbajtjen e tij të zgjatur një padrejtësi politike dhe nënshtrim ndaj presionit të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos