Sllovenia u është bashkuara vendeve të tjera europiane që tashmë e njohin Palestinën pasi qeveria aprovoi propozimin e kryeministrit Robert Golob, të enjten.
“Qeveria ka marrë vendimin për ta njohur shtetin e Palestinës si të pavarur dhe sovran brenda kufijve të vitit 1967, ose të kufijve për të cilët partitë e përfshira mund të bien dakord në një marrëveshje paqeje të së ardhmes,” tha Golob në një konferencë për mediat në Ljubjana.
Edhe pse çështja e njohjes së Palestinës nuk ishte në agjendën e qeverisë të enjten, Golob tha se iu desh ta sillte në tryezë për shkak të zhvillimeve të fundit në Rafah, ku Izraeli ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit.
Megjithatë, kryeministri theksoi se rezoluta nuk ka si synim të dalë kundër shtetit të Izraelit.
“Mesazhi i njohjes nuk është kundër askujt,” tha Golob në mesazhin e tij për paqe.
“Ne besojmë se ka ardhur momenti kur të gjithë ne, e gjithë bota, duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që të sjellim një paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme.”
Parlamenti i vendit të vogël alpin duhet ende të ratifikojë vendimin përpara se ai të hyjë në fuqi të plotë.
Megjithatë, kjo konsiderohet thjesht një formalitet pasi asnjë nga partitë parlamentare në Asamblenë Kombëtare me 90 vende nuk pritet të dalë kundër. (A2 Televizion)