
Aguadilla në Porto Riko, nga një territor shpesh në periferi të vëmendjes politike amerikane, Porto Riko është shndërruar papritur në një pikë kyçe të politikës së jashtme të presidentit Donald Trump, pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e Nicolás Maduro-s.
Në një shkrim me titull: “Për të shkuar te Maduro, Trump kaloi nëpër Porto Riko” të botuar në “Politico”, gazetari Manuel Quiñones rrëfen eksperiencën e tij dhe të familjes mëngjesin e 3 janarit, kur SHBA sulmoi Venezuelë, ndërsa nxitonim të merrnim një fluturim për t'u kthyer në kontinent, shkruan A2 CNN.
Operacioni, i zhvilluar herët në mëngjes, përfshiu sulme ajrore në Karakas dhe ndërhyrjen e forcave speciale amerikane, të cilat arrestuan Maduro-n dhe bashkëshorten e tij. Pasoja e menjëhershme u ndje edhe në Porto Riko: Administrata Federale e Aviacionit mbylli hapësirën ajrore për linjat amerikane, duke lënë rreth 50 mijë pasagjerë të bllokuar në aeroportin ndërkombëtar të San Huanit, një nyje e rëndësishme për Karaibet.
Në muajt e fundit, SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Porto Riko, duke sjellë avionë luftarakë, dronë dhe pajisje të tjera. Baza të vjetra ushtarake, si ajo e Aguadillas dhe stacioni detar Roosevelt Roads, janë riaktivizuar, duke e kthyer ishullin në një platformë strategjike për operacionet në Amerikën Latine, përcjell A2 CNN.
Kjo ka nxitur debate të forta në ishull. Politikanët e majtë, përfshirë përkrahësit e pavarësisë, e dënuan ndërhyrjen amerikane, ndërsa guvernatorja Jenniffer González Colón, republikane dhe aleate e Trump-it, e përshëndeti operacionin, duke theksuar rolin strategjik të Porto Rikos për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Sipas gazetarit, Aguadilla ishte ndalesa e parë e Maduro-s në tokën amerikane, përpara se ai të dërgohej në Nju Jork për t’u përballur me akuza për narkoterrorizëm dhe trafik droge. Një detaj simbolik ishte fotografia e publikuar nga Trump, ku Maduro shihej me një shishe uji të zakonshme në Porto Riko, një shenjë e qartë e rrugës që kishte ndjekur. (A2 Televizion)