Perandori romak me origjinë ilire që ndryshoi botën

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2026, 12:24 | Bota

Perandori romak me origjinë ilire që ndryshoi botën

Sot përkujtohet përvjetori i një prej figurave më të rëndësishme të historisë botërore, perandorit romak Konstandini i Madh, i njohur si sundimtari që ndryshoi rrjedhën e Perandorisë Romake dhe historinë e krishterimit.

Konstandini I, i lindur rreth vitit 272 pas Krishtit, me prejardhje ilire prej Nishit, u shpall perandor në vitin 306 dhe mbahet mend për vendimin e tij historik për të legalizuar krishterimin me Ediktin e Milanos në vitin 313, së bashku me perandorin Licini, shkruan A2 CNN. Ky akt i dha fund përndjekjeve ndaj të krishterëve dhe hapi rrugën që krishterimi të bëhej më vonë fe zyrtare e perandorisë.

Një nga momentet më të rëndësishme të sundimit të tij ishte themelimi i qytetit të Konstandinopojës në vitin 330, i cili u bë kryeqyteti i ri i Perandorisë Romake dhe më pas zemra e Perandorisë Bizantine për më shumë se një mijëvjeçar. Pas pushtimit të Konstandinopojës nga Mehmeti i Dytë në vitin 1453, qyteti kaloi në duart e perandorisë Otomone. Edhe pse nga një pjesë e banorëve, qyteti quhej Stamboll, administrata i referohej si Konstandinje, deri kur në vitin 1930, u zyrtarizua emri Stamboll nga Turqia, si pjesë e modernizimit të republikës.

Konstandini njihet gjithashtu për rolin e tij në thirrjen e Koncilit të Nikesë në vitin 325, ku u hodhën themelet e doktrinës së krishterë në një moment kyç për unitetin fetar të perandorisë. Ndikimi i tij në politikë, fe dhe organizimin shtetëror është i padiskutueshëm. Në shumë vende të botës, përfshirë edhe hapësirën shqiptare, ai përkujtohet si një udhëheqës vizionar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë europiane dhe botërore. Konstandini i madh ka vendin e tij unik në “piedestalin” e perandorëve sepse vendimet e tij tejkaluan dhe i rezistuan kohës, duke vënë themelet e qytetërimit perëndimor të krishterë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos