Rusia dhe Ukraina arrijnë armëpushim të pjesshëm

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2026, 10:36 | Bota

Rusia dhe Ukraina arrijnë armëpushim të pjesshëm

Rusia dhe Ukraina kanë arritur një armëpushim lokal rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhias në juglindje të Ukrainës, me ndihmën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, për të mundësuar riparimet e nevojshme të linjave rezervë të furnizimit me energji elektrike të centralit, shkruan A2 CNN.

IAEA ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje lokale për të ndihmuar ekipet e riparimit të garantojnë sigurinë e centralit. Ndërkohë në zonë po zhvillohen aktivitete çminimi për të siguruar aksesin.

Sipas Reuters, centrali, më i madhi në Europë, ndodhet nën kontrollin rus që pak pas nisjes së luftës në vitin 2022. Aktualisht ai nuk prodhon energji elektrike dhe mbështetet në furnizim të jashtëm me energji për të mbajtur materialin bërthamor të ftohur dhe për të shmangur një aksident katastrofik.

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar shpesh njëra-tjetrën për rrezikimin e sigurisë së centralit, duke kryer sulme në zonat përreth. Sipas Rusisë, riparimet pritet të zgjasin të paktën një javë.

Bisedimet e paqes mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së pritet të rifillojnë muajin e ardhshëm. “Ne duhet të finalizojmë gjithçka që është arritur deri tani për garanci reale sigurie dhe të përgatisim një takim në nivel liderësh. Ky është formati që mund të zgjidhë shumë çështje. Në fund të fundit, liderët vendosin për çështjet kyçe dhe kur bëhet fjalë për Rusinë… kjo është edhe më e rëndësishme se në vende të tjera”, tha mbrëmë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos