
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka kërkuar një hetim për të verifikuar nëse i dënuari për krime seksuale, Jeffrey Epstein, ka trafikuar gra dhe vajza në Mbretërinë e Bashkuar me avionë privatë që kanë zbritur në bazat e Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF).
E përditshmja britanike The Telegraph raportoi të enjten se Healey u ka kërkuar zyrtarëve britanikë të shqyrtojnë dy dekada dokumentesh të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të “mos lënë asnjë gur pa lëvizur” në kërkim të çdo lidhjeje mes avionit privat të pedofilit dhe objekteve të RAF-it.
Hetimi i nisur nga Healey vjen disa ditë pasi ish-kryeministri laburist Gordon Brown u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë nëse ish-princi, Andrew Mountbatten-Windsor, kishte përdorur udhëtime me avion të financuara nga taksapaguesit dhe bazat e RAF-it për t’u takuar me Epstein.
Sipas The Telegraph, Brown ishte veçanërisht i shqetësuar për një fluturim privat që Epstein kishte kryer me një avion tip Gulfstream, i cili u ul në një bazë ajrore në Norfolk në dhjetor të vitit 2000, përpara se ai të vizitonte rezidencën mbretërore të Sandringham House së bashku me Mountbatten-Windsor.
Mountbatten-Windsor u arrestua javën e kaluar për dyshime për shpërdorim detyre, ndërsa shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Ai dyshohet se kishte dërguar dokumente konfidenciale qeveritare tek Epstein. “Po ecim me ritme të shpejta për të publikuar grupin e parë të dokumentave në fillim të marsit,” tha një zëdhënës i komitetit të inteligjencës.
Ndërsa kryeministri Keir Starmer e shkarkoi Mandelsonin nga posti i ambasadorit vitin e kaluar pas zbulimeve të reja mbi marrëdhënien e tij me Epstein, lideri britanik po përballet me pasoja politike, pasi mbeten pikëpyetje mbi vendimin e tij për ta emëruar atë fillimisht në këtë rol.
Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, European Anti-Fraud Office (OLAF), deklaroi gjithashtu të enjten se po shqyrton veprimet e Mandelsonit gjatë kohës që ai shërbente në Bruksel si komisioner britanik për tregtinë mes viteve 2004 dhe 2008, pas një kërkese nga Komisioni Europian. (A2 Televizion)