Përballje në det, Izraeli përplas anijet me ndihma, arrestohet sërish Greta Thunberg

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 07:12 | Bota

Përballje në det, Izraeli përplas anijet me ndihma, arrestohet

Marina izraelite ka ndaluar disa anije të Flotiljes Global Sumud më pak se 70 milje larg Rripit të Gazës. Mbi 200 aktivistë janë ndaluar, përfshirë disa italianë që, sipas Ministrit të Jashtëm italian Antonio Tajani, do të transferohen në portin izraelit të Ashdodit dhe më pas do të dëbohen.

Mes të ndaluarve është edhe aktivistja suedeze Greta Thunberg, për të cilën Ministria e Jashtme izraelite njoftoi se "është shëndoshë e mirë", duke publikuar edhe një video të arrestimit të saj.

Flotilja raportoi se rreth 20 anije vazhdojnë të lundrojnë me shpejtësi të plotë drejt Gazës, vetëm 46 milje detare larg, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të marinës izraelite. Deri tani, 13 anije janë ndaluar nga forcat izraelite.

Sipas njoftimeve nga vetë Flotilja, anija Florida është përplasur qëllimisht në det nga anijet izraelite, ndërsa anijet Yulara, Meteque dhe disa të tjera janë goditur me topa uji.

Hamas ka reaguar duke e cilësuar ndërhyrjen izraelite si "akt piraterie dhe terrorizmi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos