Perëndimi “braktis” Ukrainën, drafti i Konferencës së Zvicrës, nuk shqyrtohet integriteti territorial

Nga Erjon Dervishi
5 Qershor 2024, 23:24 | Bota

Perëndimi po përgatitet ti kthejë shpinën Ukrainës. Një konkluzion i tillë, citon revista e njohur Bloomberg, vjen nga drafti që pritet të miratohet nga Konferenca e Paqes në Zvicër në datat 15-16 Qershor. Vendet perëndimore ia kanë reduktuar në vetëm tre pika, nga 10 të propozuar nga Zelensky, kërkesat e Ukrainës në mënyrë që ta arrihet paqja me Rusinë. Drafti parashikon që konferenca e paqes në Zvicër të fokusohet në tre pika: siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer. Deri këtu asgjë e re citon Bloomberg.

Teksti bazë i draftit parashikon sigurinë e centraleve bërthamore dhe shpall çdo kërcënim të përdorimit të armëve bërthamore si "të papranueshëm". Objektet bërthamore, përfshirë termocentralin Zaporizhia duhet të funksionojnë nën kontrollin e Ukrainës dhe në përputhje me parimet e vendosura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Për sa i përket sigurisë ushqimore, "ajo duhet të garantohet me lundrimin falas në Detin e Zi dhe Detin Azov: Ukraina duhet të ketë akses te palët e treta për produktet e saj bujqësore".

Në pikën e fundit, të draftit parashikohet se "të gjithë të burgosurit e luftës duhet të lirohen, duke përfshirë të gjithë fëmijët dhe civilët ukrainas të deportuar dhe të zhvendosur ilegalisht. Plani i Zelenesky i para një viti përfshinte sigurinë energjetike, integritetin territorial, tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina dhe kompensimin e dëmeve, për të përmendur disa prej tyre.

Ndërkohë, plani i paqes që pritet të dalë nga Konferenca e Zvicrës, nuk përmend integritetin territorial të Ukrainës. Bloomberg beson se këto lëshime nga perëndimi bëhen për të afruar më shumë Rusinë me parimet e paqes, por në të vërtetë për shumë analistë kjo shikohet si një projekt i mirëfilltë ndarjeje për Ukrainën.

Drafti lë të kuptohet se Zelensky është i gatshëm për bisedime paqeje më Putin, por ky i fundit kërkon largimin e kreut të qeverisë ukrainase pasi i ka mbaruar mandati kushtetues. Sakaq, Konferenca e Zvicrës pritet të jetë një dështim, pasi në të do të mungojnë dy aktorë të rëndësishëm të skenës botërore, Joe Biden dhe Xi Jinping. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos