“Perëndimi po na lufton me duart e Kievit”, Putin: Do dëbojmë armiqtë

Nga Rosalba Bejdo
12 Gusht 2024, 17:07 | Bota

“Ushtria rusë do të dëbojë trupat ukrainas nga territori i vet sovran dhe armiku do të marrë përgjigjen e merituar”. Me këto fjalë, presidenti Vladimir Putin është përpjekur të qetësoje rusët, pas inkursionit të rrallë dhe turpërues të forcave të Kievit në rajonet kufitare. Në pohimet më të detajuara deri më tani, lidhur me ofensivën, shefi i Kremlinit tha gjatë një takimi me zyrtarë të sigurisë dhe guvernatorë rajonalë se Kievi po vepron me ndihmën e mjeshtreve të tij Perëndimorë. Qëllimi sipas tij, është të përmirësohet pozicioni në negociata, në prag të bisedimeve të mundshme të paqes.

“Po bëhet gjithmonë e më e qartë se përse regjimi i Kievit ka refuzuar propozimet tona për t’iu rikthyer planit të paqes, ashtu edhe propozimet e negociatorëve neutralë. Duket se armiku me ndihmën e mjeshtreve perëndimorë po përmbush vullnetin e tyre. Perëndimi po lufton me duart e ukrainasve dhe duket se po përpiqet të përmirësojë pozicionin në negociata”, tha Putin.

Putin pretendon se trupat ruse kanë avancuar përgjatë të gjithë frontit, por guvernatorit në detyrë i rajonit të Kursk, ku Kievi nisi inkursionin ditën e martë, tha se Ukraina kontrollon 28 fshatra në rajon.

“Situata mbetet e vështirë”, pohoi Alexei Smirnov, duke pretenduar se forcat ukrainase kanë depërtuar 12 km brenda rajonit dhe se fronti i luftës është 40 km i gjerë… Por alarmi nuk prek vetëm rajonin e Kurks. Edhe në Belgorod, autoritetet ruse kanë evakuar mbi 11 mijë civilë. Siç pretendojnë mediat shtetërore, ata janë zhvendosur për shkak të “aksionit armik” brenda vendit. Në orët e para të së hënës, banorëve në pjesë të Belgorodit, në jug të Kursk, ju tha të mos përfshiheshin nga paniku, por se duhet të evakuoheshin.

Guvernatori i Belgorod, Viaçesllav Gladkov deklaroi se i gjithë rajoni ishin nën alarm për sulme raketore, dhe u bëri thirrje qytetarëve të strehoheshin në bodrume. Megjithatë, ai siguroi se ushtria do të bënte gjithçka të mundur për t’u përballur me kërcënimin e ri.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos