Irani është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me Organizatën Ndërkombëtare Detare për forcimin e sigurisë në det dhe mbrojtjen e detarëve në Gjirin Persik.
Kështu deklaroi përfaqësuesi iranian në agjencinë detare të OKB-së, sipas Reuters. Në një reagim të publikuar në kanalin Telegram të agjencisë Mehr, Ali Mousavi theksoi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjitha anijet, me përjashtim të atyre që lidhen me “armiqtë e Iranit”.
Ai shtoi se kalimi në këtë rrugë strategjike është i mundur përmes koordinimit të masave të sigurisë me autoritetet iraniane. “Diplomacia mbetet prioriteti i Iranit.
Megjithatë, ndërprerja e plotë e agresionit, si dhe ndërtimi i besimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë, janë thelbësore”, u shpreh Mousavi. Sipas tij, sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit janë në “rrënjën e situatës aktuale në Ngushticën e Hormuzit”. (A2 Televizion)