
Të paktën 734 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 2 400 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Nepal, pas përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të tokës që goditën vendin të mërkurën.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, përcjell A2.
Situata është e rëndë edhe në Tibet, ku sipas mediave shtetërore kineze, numri zyrtar i viktimave ka shkuar në 16, ndërsa 546 persona raportohen të zhdukur. Vlerësimi i përmasave të katastrofës në Tibet është vështirësuar nga terreni i thyer, kushtet e këqija atmosferike dhe vështirësitë në aksesin në zonat e prekura.
Rreth 20 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit përgjatë kufirit Nepal-Tibet. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se terreni i vështirë dhe reshjet e vazhdueshme po e bëjnë “jashtëzakonisht të vështirë” dërgimin e ndihmave te komunitetet e prekura.
Ndërkohë, autoritetet kineze po vlerësojnë edhe rrezikun nga një barrierë e krijuar pas një rrëshqitjeje dheu të shtunën. Formimi i barrierave të tilla natyrore mund të rrisë rrezikun për përmbytje të tjera nëse uji i çan ato.
Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet për të zhdukurit, ndërsa përmasat e plota të dëmeve mbeten ende të paqarta për shkak të kushteve të vështira në terren.
(A2 Televizion)