Gjashtë deri në 10 km i ndajnë forcat ruse nga pozicionet e artilerisë ukrainase pranë Drushkivkës, në rajonin e Donetskut. Nën kërcënimin e vazhdueshëm të dronëve, artileria ukrainase vijon zjarrin me obus ndaj pozicioneve ruse, ndërsa Moska ushtron presion në një nga sektorët më të rëndësishëm të Frontit Lindor.
“Armiku ndodhet tashmë deri në 10 km larg nesh. Ata po afrohen gjithnjë e më shumë. Operacionet sulmuese i kryejnë çdo ditë. Disa janë të suksesshme, disa jo”, thotë për Reuters një ushtarak.
Drushkivka, Kramatorsku dhe Sllovjansku formojnë atë që njihet si brezi i fortesës, një zonë urbane e fortifikuar dhe një nga pengesat kryesore për avancimin rus drejt perëndimit, shkruan A2 CNN.
Për ukrainasit, objektivi i Moskës është i qartë. Marrja e Kramatorskut dhe Sllovjanskit do t’i jepte Rusisë kontroll mbi qendrat kryesore të mbetura të Donetskut nën administrimin e Kievit. “Situata më e vështirë është në drejtimin Konstantiinivka-Drushkivka. Ata duan të marrin Kramatorskun dhe Sllovjanskun”, thotë ushtaraku ukrainas.
Drushkivka ndodhet në rrugën drejt Kramatorskut, por artileria ukrainase duhet të luftojë edhe me një kërcënim tjetër. Dronët rusë dhe ata të zbulimit patrullojnë vazhdimisht zonën.
Gjatë operacionit, ushtarët diktuan një dron rus dhe hapën zjarr ndaj tij, ndërsa obusi mbeti i fshehur në një pozicion të fortifikuar. “Po operojmë nga një pozicion i mbuluar, sepse aktiviteti i dronëve armik është shumë i lartë. Dronët dhe ata të zbulimit janë në gjendje të godasin pajisjet dhe obusin tonë”, thotë një tjetër ushtarak.
Luftimet vazhdojnë, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten të bllokuara. Donetsku vazhdon të jetë një nga çështjet kryesore që ndan Moskën dhe Kievin. (A2 Televizion)