Gjermania po forcon kapacitetet e saj në industrinë e mbrojtjes. Kompania gjermane e armëve Rheinmetall do të investojë 270 milionë euro për ndërtimin e një qendre të re logjistike dhe teknologjike në aeroportin e Kassel-it në Landin e Hesse-s.
“Shumë thonë se tani na duhen vetëm dronët. Mos i besoni kësaj. Na duhet një kombinim i sistemeve të ndryshme. Kjo është ajo që kërkohet sot edhe nga NATO”, tha CEO i kompanisë Armin Papperger, përcjell A2 CNN
Qendra e re do të shtrihet në rreth 30.000 metra katrorë dhe pritet të jetë funksionale në vitin 2027. Projekti do të përfshijë edhe një qendër testimi për dronët ku do të maten shpejtësia dhe parametrat e fluturimit.
Papperger tha se kompania synon të zhvillojë modele të reja dronës çdo disa muaj duke e lidhur këtë me ritmin e mësimeve të nxjerra nga lufta në Ukrainë. “Ne do të zhvillojmë një dron të ri në çdo disa muaj. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po tregon se kjo shpejtësi është shumë e rëndësishme”, u shpreh ai.
Rheinmetall prodhon në Kassel automjete ushtarake me rrota dhe zinxhir dhe aktualisht punëson rreth 2200 persona. Me qendrën e re, Kassel synon të mbetet një prej pikave kryesore të industrisë europiane të mbrojtjes. (A2 Televizion)