Shpërthimi i bombolës në Lezhë, dy fëmijë mes të lënduarve

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 21:46 | Kronikë

Shpërthimi i bombolës në Lezhë, dy fëmijë mes

Dy fëmijë janë mes gjashtë personave të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në fshatin Markatomaj të Lezhës mbrëmjen e të shtunës, raporton A2 CNN.

Sipas policisë, rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

“Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe”, tha policia e Lezhës.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos