Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky thotë se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit informacion mbi një seri takimesh të zhvilluara në Moskë gjatë ditëve të fundit. Deklarata e tij vjen pas raportimeve se drejtori i CIA kishte udhëtuar në Moskë për bisedime me zyrtarë rus.
“Morëm informacion nga pala amerikane për takimet në Moskë që u zhvilluan këto ditë. Kishte një sërë takimesh. I falënderoj për informacionin dhe për tonin e nevojshëm të bisedës me Rusinë. Rusia duhet t'i japë fund luftës. Duhet të krijojmë gjithashtu kushte e nevojshme që kjo të ndodhë”, tha Zelensky.
Ndërkohë ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov mohon që Moska t'i ketë vendosur ultimatum Uashingtonit lidhur me mbështetjen amerikane për Ukrainën. “Jo nga ana jonë nuk ka pasur ultimatume. Ne thjesht kemi bërë një pyetje. Sa herë që shfaqet informacion në mediat perëndimore për financim, furnizime me armë apo inteligjencë amerikane për Ukrainën, ne ja përcjellim këtë Departamentit Amerikan të Shtetit përmes kanaleve diplomatike dhe kërkojmë konfirmim. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha ai.
Lavrov foli gjithashtu edhe për rolin e Britanisë së Madhe në konflikt. “Roli i Britanisë është jashtëzakonisht negativ siç ka qenë për shekuj me radhë. Kjo vlen për marrëdhëniet me Rusinë, por edhe për shumicën e të ashtuquajturave bashkudhëtare të Britanisë. Ajo nuk ka pasur kurrë aleatë të përhershëm. Edhe Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë përjashtim”.
Deklaratat e tij vijnë pasi Londra ka njoftuar se do t'i japë Ukrainës akses në teknologji të klasifikuar për prodhimin e raketave me rreze të gjatë Storm Shadow. Franca gjithashtu ka dhënë miratimin për licencimin e teknologjisë europiane për këto raketa. (A2 Televizion)