Përpara se t’i dërgojë raketat Patriot në Ukrainë, Gjermania do garanci nga SHBA

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 14:20 | Bota

Përpara se t’i dërgojë raketat Patriot në

Gjermania ka nevojë për garanci të forta nga SHBA-ja se do të marrë shpejt sisteme të tjera raketore Patriot si zëvendësim, nëse ajo dërgon dy nga njësitë e saj në Ukrainë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Duke folur për revistën gjermane Der Spiegel, ai tha se vendet evropiane anëtare të NATO-s kanë nevojë për garanci “të hekurta” që çdo sistem amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot, i dërguar në Ukrainë, do të zëvendësohet brenda një periudhe prej gjashtë deri në tetë muajsh.

Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri të ditur se ka arritur një marrëveshje me shefin e NATO-s, Mark Rutte, që vendet evropiane të aleancës të furnizohen me armë amerikane - sidomos me sistemet raketore Patriot - për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Ky veprim shënoi një kthesë në qëndrimin e Trumpit, i cili tha se është gjithnjë e më i pakënaqur me presidentin rus, Vladimir Putin, që po pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Gjermania është ofruar me financimin e dy sistemeve Patriot, ndërsa disa aleatë të tjerë të NATO-s janë shprehur të gatshëm të paguajnë për tri të tjera.

Por, shqetësimet janë rritur, pasi Uashingtoni do që aleatët evropianë fillimisht t’i dërgojnë sistemet Patriot nga rezervat e tyre në Ukrainë dhe më pas të presin që ato të zëvendësohen nga Shtetet e Bashkuara.

Pistorius i tha revistës Der Spiegel se është e rëndësishme që “vendet që po i transferojnë sistemet, të mund t’i përmbushin detyrimet e tyre ndaj NATO-s dhe të mos krijohen boshllëqe sigurie për aleancën”.

Disa vende, si Norvegjia, Suedia dhe Holanda, kanë shprehur gatishmëri të paguajnë për sistemet Patriot, por Pistorius tha se ende nuk është vendosur se cili vend do t’ia japë këto sisteme Ukrainës.

Duke folur më vonë në një konferencë për media në Berlin, ai tha se po vazhdojnë bisedimet për çështjen se “cilat vende në Evropë dhe më gjerë kanë aktualisht sisteme Patriot dhe sa prej tyre janë të gatshme t’i dorëzojnë”.

“Ka para për këto sisteme Patriot. Tani vetëm na duhen ato”, tha Pistorius.

Gjermania ka pasur 12 sisteme Patriot, por tashmë ka dërguar 3 prej tyre në Ukrainë dhe 2 në Poloni.

Një sistem tjetër përdoret vetëm për trajnime, kështu që tani i ka vetëm 6 sisteme aktive në dispozicion./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos