Sali Berisha priti 150 ditë për t’iu përgjigjur të gjitha akuave që janë adresuar në drejtim të tij nga sheshi i protestës. Nga Revolucioni i Flamingove, e deri te protesta e studentëve që tashmë ka marrë trajtat e një proteste politike, dëgjohen shpesh thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Këto thirrje që vijnë nga protesta për Berishën janë të sponsorizuara nga qeveria, që sipas tij synon të vendos shenjën e barazisë mes tij dhe Ramës.
“Duhet t’u them shqiptarëve se kontrolluesit e mikrofonit, horra si ata, u jepnin mikrofonin vetëm atyre të cilët merrnin përsipër sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe ishin përjashtim të tjetër që mund ta merrnin”, tha ai.
Nga mbledhja e grupit parlamentar, lideri demokrat e quajti antishqiptare tezën se opozita ishte përjashtuar nga protesta që ka nisur që nga 31 Maji, shkruan A2 CNN.
“Shqipëria pa opozitë ishte Shqipëria e atij që doli dje në protestë sipas tij duke përjashtuar ata që kishin të regjistruar qindra e qindra protesta në biografinë e tyre. Qesharakë, të turpshëm, primitivë”, tha kreu i PD.
Sulmet e Berishën u drejtuan kundër të gjithëve, si për qeverinë dhe për partitë e reja, ku sipas tij teza e barazisë është për të vrarë shpresën.
“Këta janë gjahtarët e shpresave të shqiptarëve. Këta janë llumi i llumit të shoqërisë shqiptare, armiqtë më të egër të qenies shqiptare”, tha Berisha.
Pavarësisht kritikave që vijnë në drejtim të tij, Berisha sërish kërkoi mbështetje për protestën. “Absolutisht do qëndrojmë gjer në fitoren e kauzës së drejtë”. (A2 Televizion)