SPAK i dha fund hetimit të nisur ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Një javë pasi i komunikoi akuzat, ish-numri dy i qeverisë u thirr të mërkurën për t'u njohur zyrtarisht me përfundimin e hetimeve.
Balluku mbërriti në SPAK në orën 08:05, e shoqëruar nga avokati i saj, dhe u largua nga godina gati 25 minuta më vonë.
Sipas SPAK, ish-zv.kryeministrja akuzohet për pesë vepra penale, mes të cilave “shkelja e barazisë në tendera”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”. Ajo dyshohet se ka shkelur ligjin gjatë procedurave tenderuese për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe në disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës, kur ishte ministre e Infrastrukturës, por edhe në një rast kur mbante detyrën e titullares së “Albcontrol”.
Në orët e mëvonshme, në SPAK u paraqitën disa të bashkëpandehur në të njëjtën çështje penale.
Sipas burimeve, për episode të ndryshme, në këtë dosje penale janë vënë nën akuzë mbi 20 të pandehur, mes të cilëve zyrtarë dhe biznesmenë.
Pas përfundimit të komunikimit të rezultateve të hetimit, të pandehurit kanë një afat prej 10 ditësh për të paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj konkluzioneve të SPAK.
Më tej, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar depoziton dosjen në GJKKO, ku çështja i nënshtrohet shqyrtimit paraprak. (A2 Televizion)