Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zhvendosur nga qelitë e paraburgimit të Durrësit në atë të Fierit. Mësohet se lëvizja nuk është bërë me kërkesë të tij, ndërsa nuk ka të dhëna të plota për shkakun e zhvendosjes.
Masa vjen 20 muaj pas arrestimit të tij me kërkesë të SPAK-ut dhe me firmën e GJKKO-së. Më 10 shtator të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme deklaroi mbylljen e hetimeve dhe dërgoi dosjen në gjykatë. Ndaj tij rëndojnë 13 akuza për katër vepra penale.
Përgjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as përplasjet politike.
Më 23 shtator të vitit të shkuar, Këshilli Bashkiak votoi për shkarkimin e Veliajt si kryetar bashkie, por ky i fundit e kundërshtoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Dy muaj më pas, institucioni më i lartë i drejtësisë e riktheu në detyrë, duke argumentuar se ndaj tij nuk kishte një vendim të formës së prerë dhe se mungesa në detyrë ishte për shkaqe të ligjshme.
Prej asaj kohe, Veliaj ka firmosur urdhra dhe vendime për punën në Bashkinë e Tiranës nga qelia në Durrës, por tashmë detyrën do ta ushtrojë nga Fieri.
Paralelisht, përmes avokatëve, ai ka kërkuar edhe një masë më të lehtë sigurie, e cila deri më tani nuk është miratuar nga gjykatat. (A2 Televizion)