Përplasjet dhe kërcënimet në distancë, Izraeli kërkon nga NATO që të dëbojë Turqinë nga aleanca

Nga Xhevahir Qardaku
30 Korrik 2024, 13:25 | Bota

Disa izraelitë janë futur brenda një baze ushtarake, jo për të kapur armët, por për të protestuar. Është ky rasti i çuditshëm i një manifestimi nga e djathta ekstreme që u mobilizua në mbështetje të disa ushtarëve izraelitë që akuzohen për keqtrajtim dhe dhunim të një të burgosuri palestinez.

Në momentin e arrestimit të 9 rezervistëve që po hetohen për përdhunim ka pasur dhe një përplasje në bazën ushtarake me disa ushtarë që u përpoqën të pengonin punën e policisë. Kryeministri Benjamin Netanjahu publikoi një deklaratë duke dënuar atë që kishte ndodhur me të burgosurin palestinez.

Baza ushtarake SDE Teiman, në juglindje të Izraelit, është shndërruar prej muajsh në një strukturë abuzimesh serioze në dëm të personave që ndalohen në Gaza.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze, e drejtuar nga Hamasi, ka shpallur një epidemi të poliomielitit. Në një deklaratë në Telegram, theksohet se situata “përfaqëson një kërcënim për shëndetin e banorëve të Gazës dhe vendeve fqinje” dhe e quajti atë një “pengesë” për programin global të zhdukjes së poliomielitit, duke fajësuar për situatën ofensivën ushtarake izraelite. Këtë e raporton Al Jazeera.

Ministria bëri thirrje për "ndërhyrje të menjëhershme për t'i dhënë fund agresionit dhe për të gjetur zgjidhje radikale" për problemet e mungesës së ujit të pijshëm dhe higjienës personale, sistemeve të dëmtuara të ujërave të zeza dhe largimit të tonelatave të mbeturinave. Zërin për këtë situatë të rëndë humanitare e ka ngritur dhe Turqia, gjithashtu duke sinjalizuar një ndërhyrje të mundshme për të mbrojtur palestinezët.

Lidhur me këtë qëndrim vijojnë reagimet nga Tel Avivi. Ministri i jashtëm izraelit, Israel Katz, kërkon përjashtimin e Turqisë nga NATO. “Në dritën e kërcënimeve të presidentit turk Erdogan për të pushtuar Izraelin dhe retorikën e tij të rrezikshme, ministri i Jashtëm Israel Katz ka udhëzuar diplomatët që të angazhohen urgjentisht me të gjithë anëtarët e NATO-s, duke bërë thirrje për dënimin dhe përjashtimin e Turqisë nga aleanca”, njoftoi Ministria e Jashtme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos