Zgjedhjet zakonisht prodhojnë qetësi, por jo në rastin e Venezuelës. Kaosi shpërtheu në shumë qytete të vendit të Amerikës Latine me protestues që kundërshtojnë fitoren e Nikolas Maduro në votimin për president. Forcat e sigurisë në Venezuelë lëshuan gaz lotsjellës dhe plumba gome në drejtim të qytetarëve që dolën në rrugë.
Mijëra njerëz manifestuan në Karakas, me disa prej tyre që ecën në këmbë me kilometra nga zonat malore drejt pallatit presidencial. Vala e protestave shpërtheu pasi opozita refuzoi fitoren e Maduros duke denoncuar parregullsi në rezultatin zgjedhor me pretendimin se kandidati i tyre, Edmundo Gonzalez, ka triumfuar bindshëm me 73.2% të votave. Protestuesit brohorisnin “liri, liri”, teksa u përballen me arrestime të shumta nga policia.
“Ne i kemi ndjekur të gjitha aktet e dhunës të promovuara nga e djathta ekstreme. Unë mund t'u them popullit të Venezuelës se nëse ata kanë bërë dëm, ne po veprojmë. Ne tashmë e kemi parë këtë film, ndaj edhe një herë, bashkë me sindikatat civile, ushtarake dhe policore po veprojmë. Ne tashmë e dimë se si funksionojnë ata. E dimë si t'i përballojmë këto situata dhe si t'i mposhtim të dhunshmit”, u shpreh Nicolas Maduro, President i Venezuelës.
Partitë e opozitës u bënë bashkë pas Gonzalez në përpjekje për të mposhtur presidentin Maduro pas 11 vitesh në pushtet, mes pakënaqësive në rritje për shkak të krizës së rëndë ekonomike.
“Dua t'i them të gjithë popullit të Venezuelës, me përgjegjësi të plotë, se ne do të zbatojmë respektin për vullnetin e shprehur me votat tuaja. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes. Ne kemi në duart tona llogaritjet që demonstrojnë fitoren tonë kategorike dhe matematikisht të pakthyeshme”, tha Edmundo Gonzales, kandidat i opozitës për president.
Opozita pretendon se ata morën 6.2 milionë vota ndërsa Maduro 2.7 milionë.
(A2 Televizion)