Shtetet e Bashkuara i kanë prezantuar Libanit një propozim për çarmatosjen e Hezbollahut deri në fund të vitit, së bashku me fundin e operacioneve ushtarake të Izraelit në vend dhe tërheqjen e trupave të tij nga 5 pozicione në jug të Libanit.
Zbulimin e bën agjencia e lajmeve Reuters, e cila siç pohon ka parë një kopje të agjendës së kabinetit libanez, i mbledhur këtë të enjte.
Plani, i cili është dorëzuar nga i dërguari i Presidnetit amerikan Donald Trump në rajon, Tom Barrack, përcakton hapat më të detajuar për të çarmatosur Hezbollahun e mbështetur nga Irani, i cili deri më tani i ka refuzuar thirrjet për çarmatosje pas luftës shkatërruese të vitit të kaluar me Izraelin, shkruan A2.
Objektivët e propozimit amerikan do të përfshinin eleminimin gradual të pranisë së aktorëve joshtetërorë nga ana e ushtrisë, të tillë si Hezbollahu, duke dërguar forca libaneze në pikat kufitare kyçe dhe zona të brendshme; sigurimi i tërheqjes izraelite nga 5 pozicione kyçe, zgjidhja e çështjes së të burgosurve përmes bisedimeve indirekte dhe demarkimin e përkohshëm të kufijve të Libanit me Izraelin dhe Sirinë.
Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin e qeverisë libaneze për të ngarkuar forcat e armatosura me detyrën e vënies nën kontrollin e shtetit të të gjitha armatimeve.
Hezbollahu nuk ka komentuar ende propozimin, por tre burime politike thanë për Reuters se ministrat nga grupi i mbështetur prej Iranit dhe aleatët e tyre shiitë ishin tërhequr nga takimi i kabinetit i zhvilluar të enjten, në shenjë proteste ndaj propozimit. (A2 Televizion)