Rusia del kundër Amerikës dhe bashkohet me Iranin. Presidenti Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin me ministrin e jashtëm të Teheranit, Abaz Aragçi, dënoi sulmin e Shteteve të Bashkuara në 3 impiantet bërthamore duke e konsideruar një agresion të pajustifikuar dhe të paprovokuar.
“Ky agresion absolutisht i paprovokuar kundër Iranit nuk ka asnjë bazë dhe asnjë justifikim. Nga ana jonë, ne po bëjmë përpjekje për të ndihmuar popullin iranian. Jam shumë i lumtur që jeni në Moskë sot. Kjo na jep mundësinë të diskutojmë të gjitha këto tema të mprehta dhe të mendojmë së bashku se si t'i zgjidhim ato”, tha Putin.
Më pas Putin dërgoi urimet e tij më të mira për presidentin e Iranit dhe Liderin Suprem, shkruan A2 CNN. Ministri Aragçi doli shumë i lumtur nga takimi me presidentin rus, me të cilin foli për reagimin e mundshëm ndaj sulmeve amerikane. Ai sqaroi se konsultimet mes Teheranit dhe Moskës janë bërë më të saktë, serioze dhe të ngushta.
“Ky është një akt agresioni dhe një sulm që duhet dënuar pa mëdyshje. Ne e vlerësojmë qëndrimin e Rusisë në dënimin e këtij sulmi në termat më të forta të mundshme sot dhe shpresojmë se kjo do të shoqërohet me mbështetje praktike në Këshillin e Sigurimit. Sulmi i kryer nga Shtetet e Bashkuara është, para së gjithash, një sulm ndaj Kartës së OKB-së, pasi është tërësisht në shkelje të saj. Është një sulm ndaj së drejtës ndërkombëtare, një sulm ndaj normave dhe kornizave ligjore, dhe më e rëndësishmja, një sulm ndaj Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore”, tha Aragçi.
Ndër të tjera, ministri tha se Rusia është në anën e duhur të historisë. (A2 Televizion)