“Po shkakton Luftën e Tretë Botërore”, Biden lejoi Ukrainën të sulmojë në thellësi të territorit rus

Nga Rosalba Bejdo
18 Nëntor 2024, 13:24 | Bota

Rreth 2 muaj para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden, merr ndonjë një prej vendimeve më të forta sa i përket luftës në Ukrainë. Dy zyrtarë të administratës, dhe një burim I afërt më çështjen bënë me dije të dielën se Biden ka vendosur të lejojë Ukrainën të përdorë raketat amerikane për të goditur në thellësi të territorit rus. 

Burimet pretendojnë se Kievi ka në plan të ndërmarrë sulmet e para me raketa me rreze të gjatë gjatë ditëve në vazhdim. Kjo kthesë e rëndësishme në qasjen amerikane, vjen kryesisht në kundërpërgjigje të angazhimit të trupave koreano-veriorë në luftën ruse, lëvizje që ka shkaktuar alarm në Uashington dhe Kiev. Në një video-mesazh të publikuar gjatë mbrëmjes, presidenti Volodimir Zelenski tha se raketat do të flisnin vetë.

“Sot, shumë media po thonë se ne kemi marrë lejen për veprime të caktuara. Por sulmet nuk kanë të bëjnë mefjalët. Gjëra të tilla nuk njoftohen…Raketat do të flasin vetë. Lavdi Ukrainës”, u shpreh Zelensky.

Shtëpia e bardhë dhe departamenti amerikan I shtetit refuzuan të komentonin. Reagime të ashpra erdhën nga Rusia, me zv.kryetarin e  komitetit për punët e jashtme në parlamentin rus, Vladimir Dzhabarov që paralajmëroi se vendimi i Uashingtonit për të lejuar Kievin të godasë në thellësi të territorit rus mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.

“Perëndimi ka vendosur për një shkallë të tillë përshkallëzimi që mund t’i japë fund në rrënoja shtetësisë ukrainase, brenda ditës”, ishin fjalët e tij. Sulmet e para të Ukrainës në thellësi të territorit rus me gjasa do të përfshijnë raketat Atacms të shteteve të bashkuara, që kanë një rreze deri në 306 km.

 Nuk është e qartë nëse Trump do të përmbysë vendimin e Biden kur të marrë detyrën, por analistët besojnë se ky hap mund të ndihmojë Kievin të forcojë pozitat në negociata të mundshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos