Donald Trump dhe Kamala Harris përmbyllën fushatën e tyre elektorale.
Kamala Harris ishte prezente në Pensilvani dhe Filadelfia, shtete kyçe për votat e demokratëve, ndërsa Donald Trump në qytetin industrial të Miçigan, shkruan A2 CNN.
Sondazhet tregojnë se Trump, 78 vjeç, dhe Harris, 60 vjeç, kanë një diferencë të ngushtë mes tyre. Fituesi mund të mos dihet për disa ditë pas votimit të së martës, thekson Reuters, megjithëse Trump ka sinjalizuar se do të përpiqet të luftojë çdo humbje, siç bëri në vitin 2020.
Të dy kandidatët kanë parashikuar fitore. Nga Filadelfia, Kamala Harris, të cilës iu bashkua Oprah Winfrey dhe bashkëshorti Douglas Emhoff, iu drejtua turmës ku u pozicionua si kandidatja për një gjeneratë të re lidershipi, ndërsa theksoi rëndësinë e çdo votimi të vetëm.
“Fushata jonë ka prekur ambiciet, aspiratat dhe ëndrrat e popullit amerikan. Ne jemi optimistë dhe jemi të emocionuar për atë që mund të bëjmë së bashku. Dhe ne e dimë se është koha për një gjeneratë të re lidershipi në Amerikë. Dhe unë jam gati ta ofroj atë udhëheqje si Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Harris.
Kandidati republikan për President dhe ish-Presidenti Donald Trump ka pohuar se fushata e tij po ndërton një koalicion “rekord” të votuesve arabë dhe myslimanë në Miçigan, duke thënë se ata janë tërhequr nga premtimi i tij për paqe.
“Ne po ndërtojmë koalicionin më të madh dhe më të gjerë në historinë politike amerikane. Kjo përfshin një numër rekord të votuesve arabë dhe myslimanë në Miçigan që duan PAQE”, theksoi Donald Trump.
Fushata në SHBA ka parë kthesa të mëdha: dy tentativa për vrasje dhe një dënim për krim të ish-presidentit republikan Trump dhe ngritja e papritur e zëvendëspresidentes demokrate Harris në krye të kandidimit, pasi Presidenti Joe Biden hoqi dorë nga oferta e tij për rizgjedhje nën presionin e partisë së tij. (A2 Televizion)