Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka komentuar për herë të parë protestat e pazakonta që nisën në Ukrainë mbrëmjen e djeshme.
Zelensky premtoi shpejt një plan të ri për të luftuar korrupsionin, 24 orë pasi ia kufizoi autonominë dy agjencive që luftojnë atë, duke tërhequr kritika nga BE dhe duke shkaktuar protestat e para në rrugë që nga shpërthimi i luftës në 2022.
Luftimi i korrupsionit endemik është një kusht për pranimin e Kievit në Bashkimin Evropian, si dhe për sigurimin e miliarda dollarëve ndihmë perëndimore, dhe Zelensky nënshkroi një ligj vonë mbrëmë që kufizon punën e Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).
Ligjvënësit e opozitës dhe BE-ja, të cilët e quajtën vendimin një "hap serioz prapa" dhe shprehën "shqetësim të thellë", i bënë thirrje Zelensky-t të tërheqë ligjin kontrovers.
Amendamentet e miratuara të martën i japin Prokurorit të Përgjithshëm, i cili emërohet nga presidenti, kontroll të rreptë mbi të dyja agjencitë. Të hënën, agjencia e sigurisë së brendshme e Kievit arrestoi dy zyrtarë të NABU-së me dyshimin për lidhje me Rusinë dhe kreu kërkime të gjera të punonjësve të agjencisë për arsye të tjera.
Pas kritikave, veçanërisht nga BE-ja, Zelensky tha sot se NABU dhe SAPO do të vazhdojnë të veprojnë, "por pa asnjë ndikim rus". "Gjithçka duhet të pastrohet", tha Zelensky.
Këtë mëngjes, ai u takua me drejtuesit e agjencive dhe tha se do të paraqesë një plan të ri për të luftuar korrupsionin brenda dy javësh. Pas takimit me Zelensky-n, të dy agjencitë kërkuan rivendosjen e menjëhershme të pavarësisë së organeve antikorrupsion.
"Nevojiten hapa të qartë dhe të pakundërshtueshëm në nivelin e legjislacionit që do të rivendosin garancitë që Parlamenti ka shfuqizuar", thuhet në një deklaratë të përbashkët nga NABU dhe SAPO të publikuar në Telegram.
“Ne dëgjojmë se çfarë po thotë shoqëria. Kemi një armik të përbashkët, pushtuesit rusë, dhe shteti ukrainas ka nevojë që organet e zbatimit të ligjit dhe antikorrupsionit të kenë forcë të mjaftueshme dhe, rrjedhimisht, një ndjenjë të vërtetë drejtësie”, tha Zelensky.
Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, shkroi në rrjetin social ‘X’ se ishte “seriozisht e shqetësuar” nga votimi i së martës dhe miratimi i amendamenteve të diskutueshme.
“Shfuqizimi i masave kryesore që mbrojnë pavarësinë e NABU-së është një hap serioz prapa”, tha ajo, duke kujtuar se sundimi i ligjit është në “zemër” të negociatave të pranimit me Unionin.
NABU dhe SAPO u themeluan pas revolucionit në Maidan në vitin 2014, i cili rrëzoi presidentin pro-rus, dhe Kievi iu drejtua Perëndimit. Të dy agjencitë e përshkallëzuan punën e tyre gjatë luftës, duke ngritur akuza kundër deputetëve, ministrave dhe ish-zëvendëskryetarit të administratës sw Zelensky-t. (A2 Televizion)