Meta: U takova me dy deputetë të PS, ja çfarë u kërkova

Nga A2 CNN
28 Tetor 2026, 14:20 | Politikë

Meta: U takova me dy deputetë të PS, ja çfarë u

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se është takuar në burgun “Jordan Misja” me dy deputetë të Partisë Socialiste, Antoneta Dhimën dhe Saimir Hasallën, dy anëtarë të Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

“U paraqita një ekspoze të qartë të shkeljeve shumë të rënda ligjore, që kanë shoqëruar hetimin, paraburgimin dhe procesin gjyqësor ndaj meje, të cilat janë evidentuar dhe konfirmuar në mënyrë të përsëritur edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Kërkova zbatimin e të gjitha rekomandimeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, veçanërisht atyre që lidhen me garantimin e lirisë së shprehjes, e cila më mohohet qëllimisht prej më shumë dy vitesh. Pavarësisht kërkesave të paraqitura dhe lejeve të lëshuara nga SPAK për gazetarët, vijoj të pengohem të jap intervista për median gjatë paraburgimit.

Pikërisht për këtë çështje, në rekomandimin e datës 25 maj 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksoi nevojën për garantimin e kësaj të drejte dhe sugjeroi, që intervistat të mundësoheshin edhe përmes mjeteve elektronike, përfshirë platformat online si Zoom”, tha Meta.

“Moszbatimi i këtij rekomandimi dëshmon qëllimet e vërteta të këtij paraburgimi tërësisht politik dhe shkeljen e të drejtave të mia përtej çdo imagjinate. Shqetësimi më madhor, ku u përqendrova, ishte konflikti i qëllimshëm dhe me regji të qartë politike ndërmjet GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që prej të paktën dy muajsh ka bllokuar rreth 600 seanca gjyqësore, me pasoja shumë të rënda, që cenojnë proceset e rregullta ligjore dhe mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshirë në këto procese”.

Meta shtoi se as Parlamenti dhe as Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk kanë reaguar përballë kësaj situate. “Një qëndrim i tillë i Kuvendit dhe i KLGJ cenon rëndë besimin e publikut te drejtësia dhe te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore. Integrimi europian nuk mund të jetë thjesht një objektiv i deklaruar politikisht. Ai kërkon respektimin real të lirive dhe të drejtave themelore, transparencë institucionale, zbatim të standardeve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një drejtësi të pavarur, që funksionon në përputhje me ligjin, pa ndërhyrje politike dhe pa standarde të shumëfishta”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos