Për dekada me radhë, kinematografia shqiptare e periudhës komuniste e paraqiti tharjen e Kënetës së Maliqit si një triumf të pushtetit dhe të njeriut të ri socialist. Por pas ekranit, historia e vërtetë ishte krejt ndryshe. Inxhinierë të dënuar për sabotim, profesionistë të pushkatuar dhe të burgosur politikë që punuan në kushte të rënda, u lanë jashtë të vërtetës që iu servir publikut. Pikërisht këtë përballje mes filmit dhe dokumenteve historike solli aktiviteti i organizuar në Maliq.
Skënder Vrioni shprehet: “Çdo film i realizmit socialist, duhet bërë përmbajtje, kanë këtë skenar që nuk është në përputhje me dokumentet autentike. Në rastin konkret në Maliq, kemi shfaqur filmin ‘Vitet e Jetës’, 2500 të burgosur, inxhinierë të pushkatuar. Regjimi i sakatoi njerëzit profesionistë, një pjesë tjetër i vari. Ajo ishte propagandë mbi skenarët e realizmit socialist. Aty ndikonte në masë. Nuk janë të vërteta. Ishin inxhinierët më të mirë të Shqipërisë. Dokumentet thonë të kundërtën në skenarin e filmit.”
Filmat e asaj periudhe vijojnë të transmetohen edhe sot, por diskutimi në Maliq ngriti një pyetje thelbësore: a mund të vazhdohet të shihet kjo kinematografi pa u njohur edhe historia që u la jashtë saj?
Rovena Rozhani thotë: “Filmi ‘Vitet e para’ flet për kënetën e Maliqit, ngjarjen tragjike. Ne sjellim komente nga ky film, si është shtrembëruar e vërteta duke e përballuar me dosje nëpërmjet historianëve, studiuesve të artit dhe studiuesve të tjerë. Nuk është thënë e vërteta. Ajo që thuhet në art dhe e vërteta në dosje. Përballje mes të dyjave. U kanë munguar faktet që nuk janë dhënë të plota, ajo, një histori e vërtetë, shtrembërohet.”
Sipas studiuesve, propaganda nuk u mjaftua me dënimin fizik të njerëzve, por përmes artit dhe letërsisë i portretizoi ata si armiq e sabotatorë, duke dëmtuar edhe kujtesën e familjeve të tyre.
“Është ndjesë, sepse Autoriteti i Dosjeve merr familjarët e atyre që u burgosën. Është ndjesa jonë për të afërmit e tyre, i ftojmë në takime e marrim dëshmitë përkatëse”, vijon Vrioni.
Pas filmave që për dekada formësuan kujtesën e publikut, dokumentet po sjellin në dritë fatin e shumë të burgosurve që u dënuan nga regjimi komunist. Njësoj sikurse edhe historinë e dashurisë së familjes Topencarov, një familje e shkatërruar nga persekutimi politik.
Historia e, e dokumentuar në gjashtë dosje arkivore me 1806 faqe dhe 246 raporte të ish-Sigurimit të Shtetit, u rikthye në vëmendje në Korçë, përmes librit autobiografik “Dramat e jetës”, të Nestor Topencarovit. Dashuria mes Kostës nga ish-Jugosllavia dhe Marikës shqiptare, të cilët u ndanë për shkak të mbylljes së kufijve, është vetëm fillimi i një kalvari vuajtjesh.
Përpjekjet për t'u bashkuar do të shoqëroheshin me vite të tëra në shënjestër të organeve të Sigurimit të Shtetit derisa Kosta arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg, Nestori, i biri, student i veterinarisë, u dënua me 7 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Ndërkohë, Marika dhe vajza e familjes, Ivana, iu nënshtruan presionit psikologjik dhe survejimit të vazhdueshëm. (A2 Televizion)