
Edhe për vitin 2027 bujqësia është sektori i madh që nuk i shpëton historisë së gjatë të disavantazhit, sa u përket parave që i dedikohen nga torta e buxhetit. Kontributi i saj në ekonomi është rreth 17 për qind e totalit, por vitin e ardhshëm sektori do të marrë vetëm 1.6 për qind të Buxhetit të Shtetit. Nga 940 miliardë lekë në total, për të cilësuarin si “sektor parësor” do të ndahen vetëm 16.5 miliardë lekë.
Esmeralda Ballesha, eksperte për bujqësinë, shprehet: “Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë.”
Buxheti i sektorit me të cilin jeton e punon gati gjysma e popullsisë rritet me vetëm 1 miliardë lekë dhe do të arrijë në 16.5 miliardë lekë në total.
“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, shprehet Ballesha.
Tek bujqësia parashikohet që skema kombëtare të jetë 5.3 miliardë lekë nga 5.2 miliardë lekë këtë vit, do të vijohet me kompensimin e TVSH-së për fermerët me një vlerë 3 miliardë lekë dhe qëndron objektivi ende i papërmbushur për zhbllokimin e fondeve të IPARD III, prej 94 milionë eurosh.
Ilir Pilku, ekspert për sektorin bujqësor, shprehet: “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës.”
Me gjithë fondet e cunguara, qeveria pret shumë nga bujqësia vitin e ardhëm. Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që eksportet bujqësore të arrijnë në gati 60 miliardë lekë, duke punësuar rreth 568 mijë vetë. Gjithashtu pritshmëritë janë që sektori të zgjerohet me 2.4 për qind gjatë 2027-s. (A2 Televizion)