Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën qendrore, pranë Toledos, ku dy trena me shpejtësi të lartë janë përplasur. Dhjetëra persona dyshohet të kenë vdekur, me bilancin ende paraprak që flet për të paktën 64 viktima.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e kësaj të mërkure, në linjën Madrid-Sevilje, ku u përfshinë një tren i shpejtësisë së lartë i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tjetër i kompanisë private Iryo. Disa vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në një skarpatë, ndërsa mbi 500 pasagjerë ndodheshin në të dy trenat. Dëshmitë e të mbijetuarve përshkruajnë skena të një katastrofe. Një pasagjer tregoi se goditja ishte aq e fortë, sa njerëzit u rrëzuan dhe vagonët u përmbysën. Disa udhëtarë u detyruan të dilnin përmes dritareve për të shpëtuar.
Të plagosurit, që dyshohet të jenë me dhjetëra, u transportuan drejt spitaleve të zonës. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, u shpreh i shokuar nga tragjedia dhe tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet. Qarkullimi hekurudhor mes Madridit dhe Andaluzisë është pezulluar. Shkaqet e aksidentit mbeten nën hetim, por, sipas informacioneve paraprake, ai mund të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor. (A2 Televizion)