Pse Hungaria u largua nga Gjykata Ndërkombëtare Penale?

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 08:57 | Bota

Pse Hungaria u largua nga Gjykata Ndërkombëtare Penale?

"Hungaria do të largohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Qeveria do të ndjekë procedurën për tërheqjen në përputhje me ligjin ndërkombëtar," tha Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban. Por edhe pse Hungaria deklaroi se do të tërhiqet nga marrëveshja për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, një gjë e tillë hyn në fuqi vetëm një vit pas deklaratës me shkrim për tërheqjen.

Njoftimi nga Budapesti përkoi me vizitën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Hungari. Kundër Netanyahut ekziston njëurdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të dyshuara lufte në Rripin e Gazës. Prandaj shtetet anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale duhet ta arrestojnë atë, nëse Netanyahu ndodhet në territorin e tyre.

Pas pritjes nga Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, në aeroportin e Budapestit, Netanyahu pati një takim edhe me kryemministrin hungarez Viktor Orban. Sipas planit Netanjahu do të kthehet në Izrael të dielën. Ndryshe nga zakonisht detajet e vizitës nuk janë bërë të njohura paraprakisht.

Urdhër-arresti "plotësisht i papranueshëm"

Orbani e bëri të qartë se nuk ndihet i detyruar të zbatojë direktivat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që në nëntor të vitit të kaluar kur kjo gjykatë lëshoi urdhër arresti ndërkombëtar kundër Netanyahut. Në atë kohë kryeministri hungarez i bëri në mënyrë demonstrative ftesë kolegut të tij izraelit, ftesë së cilën Netanyahu ju përgjigj tani. Orbani e quajti asokohe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale "të pacipë, cinik dhe plotësisht të papranueshëm".

Akuzat ndaj Netanjahut

Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale deklaruan në nëntor se kishte arsye të mjaftueshme për të besuar se Netanyahu dhe ish-ministri i tij i mbrojtjes, Joav Galant, ishin penalisht përgjegjës për akte të tilla si vrasje, persekutimdhe përdorimi i urisë si armë lufte. Kjo e fundit është pjesë e një "sulmi të gjerë dhe sistematik kundër popullatës civile të Gazës".

Në të njëjtën kohë Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​gjithashtu urdhër arresti për Mohammed Deif, shefin ushtarak të organizatës radikale islamike palestineze Hamas, i cili ndërkohë është vrarë nga Izraeli.

Izraeli i hedh poshtë akuzat dhe i konsideron ato si të motivuara politikisht dhe antisemite. Jeruzalemi deklaroi se duke lëshuar urdhër arresti kundër një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike të një vendi që ushtronte të drejtën e tij për vetëmbrojtje Gjykata Penale Ndërkombëtare e ka humbur gjithë legjitimitetin e saj.

Orbani i mbështet pa rezerva veprimet e qeverisë së Netanyahut në luftën kundër Hamasit. Si anëtare e Bashkimit Evropian Hungaria ka bllokuar gjithashtu rezolutat e BE-së që bëjnë thirrje për një armëpushim dhe kujdes më të madh kundrejt popullsinë civile palestineze në Rripin e Gazës./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos