
Mes Rusisë dhe Ukrainës ka qenë një natë zjarri… palët kanë shkëmbyer sulme në atë raportohet të jetë një prej orëve më vdekjeprurëse të luftës. Zyrtarët në Ukrainë konfirmuan 5 civilë të vrarë dhe 67 të tjerë të plagosur pasi një dron i ushtrisë së Rusisë goditi një qendër tregtare në Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk.
Ministri i Brendshëm i Kievit tha se sulmi ndodhi në mëngjes kur rrugët ishin të mbushura me njerëz. Ministri i jashtëm i Polonisë ishte në Kiev gjatë sulmit masiv të fundit.
Rusia goditi dhe dy qendra të tjera tregtare në Zaporizhia dhe Sumi gjatë kësaj jave. Flakët e luftës kanë mbërritur dhe në tokën e Putinit. Rusia njoftoi se rrëzoi 777 dronë ukrainas gjatë natës në rreth pesëmbëdhjetë rajone të saj dhe në Krime.
Sipas autoriteteve, sulmet rezultuan në dy viktima. Më herët, autoritetet në Moskë raportuan dhe për një sulm në një resort në Soçi, ku u plagosën 28 persona, si dhe në magazinën e shitësit online Ozone dhe në një rafineri nafte. I gjithë ky ashpërsim i luftës vjen pas përpjekjeve amerikane për të bindur presidentët, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, që të ulen për të negociuar fundin e konfliktit.
Zëdhënësi i Kremlinit konfirmoi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme që të mirëpresin një takim Rusi-Ukrainë. Gjatë sulmeve të fundit ukrainase, presidenti rus ishte jashtë vendit, në Indi, ku merr pjesë në samitin BRICS. Aty pritet të takohet me liderin e Kinës, Xi Jinping, me të cilin do të diskutojë dhe për luftën.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas priti në Kiev kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney. Ky i fundit i garantoi një paketë ndihme prej 300 milionë dollarësh kanadezë. (A2 Televizion)