“Putin dhe Zelensky urrehen”, Trump kritika BE: Sanksionet ndaj Rusisë, jo të ashpra sa duhet

Nga Xhevahir Qardaku
15 Shtator 2025, 10:21 | Bota

“Europa duhet të ndalojë së bleri naftën Ruse”. Është kjo kërkesa e drejtëpërdrejtë që presidenti amerikan, Donald Trump, lëshon sërish ndaj Bashkimit Europian, si një mënyrë që do të detyrojë Moskën të ndalë luftën ndaj Ukrainës që të ulet në tryezën e negociatave.

“NATO duhet të bashkohet. Europa po blen naftë nga Rusia. Unë nuk dua që ata të blejnë naftë. Dhe sanksionet që po vendosen nuk janë mjaftueshëm të ashpra. Dhe unë jam i gatshëm të vendos sanksione, por ata do të duhet t'i ashpërsojnë sanksionet e tyre në përputhje me atë që po bëj unë”, tha Trump.

Presidenti amerikan theksoi më tej se urrejtja mes Zelenskit dhe Putinit është e paimagjinueshme dhe e kanë të pamundur që të flasin me njëri-tjetrin. Por premtoi se do të ndërhyjë për të mundësuar një takim mes tyre, shkruan A2 CNN.

“Do ta zgjidhim në një mënyrë ose në një tjetër, por relativisht shpejt. Ata e urrejnë njëri-tjetrin aq shumë sa nuk marrin frymë. Kështu që do të duhet të përfshihem. Do të ketë bisedime, qoftë samit apo thjesht takim. Nuk ka rëndësi. Por ndoshta do të duhet të pranoj, ata e urrejnë aq shumë njëri-tjetrin sa pothuajse nuk mund të flasin. Ata janë të paaftë të flasin me njëri-tjetrin”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, ambasadori rus në Bukuresht, Oleg Lipayev, i thirrur nga Ministria e Jashtme rumune pas raportimeve se një dron kishte shkelur hapësirën ajrore, e quajti protestën të pabesueshme dhe pa prova konkrete “për shkak të mungesës së konfirmimit objektiv të origjinës së avionit”.

Ambasada ruse e raportoi këtë në një deklaratë, të cituar nga RIA Novosti. Lipayev thekson se “të gjitha faktet tregojnë për një provokim të qëllimshëm” nga Kievi, i cili, “duke pasur frikë nga një kolaps i afërt ushtarak dhe përgjegjësi për krimet që po kryen kundër popullit rus dhe ukrainas, po përpiqet me dëshpërim me të gjitha mjetet të përfshijë shtetet e tjera europiane në një aventurë të rrezikshme ushtarake” kundër Rusisë, pretendon diplomati i Putinit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos