Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po zemërohet gjithnjë e më shumë me presidentin rus, Vladimir Putin, pas sulmeve të reja masive ruse ndaj Ukrainës.
Trump në reagimin për mediat përpara se të nisej nga Nju Xhersi për në Uashington me avionin presidencial Air Force One tha duke iu referuar Putinit se ai po qëllon me raketa qytetet dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen aspak.”
“Nuk jam i kënaqur me atë që po bën Putini. Ai po vret shumë njerëz dhe nuk e di çfarë dreqin po i ndodh Putinit. E njoh atë për një kohë të gjatë, gjithmonë kam shukuar mirë me të, por po dërgon raketa nëpër qytete dhe po vret njerëz dhe nuk më pëlqen kjo gjë. Jemi në mes të bisedimeve ndërsa ai po godet Kievin me raketa. Nuk më pëlqen kjo gjë”, tha Trump.
Pak më vonë, Presidenti i SHBA-së bëri një koment në platformën e tij të lajmeve “Truth Social”, duke e quajtur Putin plotësisht të çmendur . Ai po vret shumë njerëz pa nevojë, dhe nuk po flet vetëm për ushtarët. Raketa dhe dronë po qëllohen drejt qyteteve ukrainase pa asnjë arsye.
“Gjithmonë kam thënë se ai dëshiron të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj”, vazhdon Trump, përpara se të përfundojë: “Dhe ndoshta kjo është e vërtetë, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë!”
Trump kritikoi gjithashtu edhe presidentin e Ukrainas pasi sipas tij, nuk po i bën asnjë nder vendit të tij me deklaratat e tij. «Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme», shkroi Trump. "Nuk më pëlqen kjo dhe më mirë të ndalet. Kjo luftë nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha president. Kjo është lufta e Zelensky-t, Putin-it dhe Biden-it, jo e Trump-it."
Trump dhe Putin folën për herë të fundit të hënën, ishte telefonata e tyre e tretë në lidhje me luftën në Ukrainë. Presidenti i SHBA-së deklaroi më pas se Moska dhe Kievi mund të fillonin negociatat për armëpushim “menjëherë”.
Putin tha se Rusia ishte e gatshme të punonte me qeverinë ukrainase për të hartuar një “memorandum” për të përgatitur një “marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen” midis dy vendeve. (A2 Televizion)