Pasojat e luftës në Iran për botën, mund të jenë po aq të forta se ato të pandemisë së covid-19. Është presidenti rus Vladimir Putin e që thotë diçka të tillë. Njeriu që prej 4 vitesh, udhëheq një prej konflikteve më të përgjakshme në kontinentin europian që prej Luftës së Dytë Botërore, shprehet i shqetësuar për dëmet që po shkakton lufta në Iran. Sipas tij, konflikti po reflekton pasoja të rënda në logjistikën, prodhimin dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
“Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme po kontribuon gjithnjë e më shumë në situatën aktuale dhe po shkakton dëme të konsiderueshme në logjistikën ndërkombëtare, në prodhim dhe në zinxhirët e furnizimit. Industri të tëra që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e hidrokarbureve, metaleve, plehrave kimike dhe shumë mallrave të tjera janë vënë nën sulm. Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme janë ende të vështira për t’u parashikuar me saktësi. Mendoj se edhe vetë palët e përfshira në konflikt nuk mund të parashikojnë asgjë, ndërsa për ne është edhe më e vështirë. Megjithatë, ne duhet të jetojmë në kushtet në të cilat këto ngjarje po zhvillohen. Ka tashmë vlerësime që i krahasojnë këto zhvillime me pandeminë e koronavirusit. Dhe po ju kujtoj se ajo e ngadalësoi ndjeshëm zhvillimin e çdo rajoni dhe kontinenti, pa përjashtim. Nuk është rastësi që janë hequr paralele me pandeminë e fundit. Ngjarjet me të cilat po përballet komuniteti global në vitet e fundit tregojnë se tronditjet në tregti, investime dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke u kthyer në një realitet të ri që shoqëron kalimin e gjithë ekonomisë globale në një gjendje tëre. Për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, Rusia duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar në kuptimin e interesave tona kombëtare, në përballimin e sfidave aktuale dhe në arritjen e objektivave tona strategjike të zhvillimit", u shpreh ai. (A2 Televizion)