Vladimir Putin ka nisur zyrtarisht mandatin e tij të pestë si president i Rusisë në një ceremoni inaugurimi të kuruar në detaje. Detyrën, Putin e mori për herë tyë parë gati një çerek shekulli më parë.
Lideri rus i fitoi në mars zgjedhjet e kontrolluara në Rusi me një shumicë dërrmuese, duke i siguruar vetes kështu një mandat tjetër gjashtëvjeçar që do t’i krijojë atij mundësinë që të sundojë të paktën deri në ditëlindjen e tij të 77-të.
Me shumicën e kandidatëve të opozitës ose të vdekur, të burgosur , të internuar ose të përjashtuar nga kandidimi, dhe me mospajtimin efektivisht të jashtëligjshëm në Rusi që kur filloi pushtimi i Ukrainës në shkurt të 2022, Putin nuk përballet me ndonjë sfidë të besueshme ndaj sundimit të tij.
Ceremonia e inaugurimit, e mbajtur të martën në Kremlin, u ndoq nga drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe politikë të Rusisë, por Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane refuzuan të dërgonin një përfaqësues pasi i cilësuan zgjedhjet e Rusisë si të manipuluara.
“Ne sigurisht që nuk i konsideronim ato zgjedhje të lira dhe të drejta, por ai është presidenti i Rusisë dhe do të vazhdojë në atë cilësi”, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller.
Ceremonia e parë e inaugurimit të Putinit, e mbajtur në vitin 2000, u shpall si hera e parë në historinë e Rusisë që pushteti brenda Kremlinit ndryshoi duart përmes një procesi zgjedhor. Në fjalimin e tij atëherë, Putin tha se zgjedhja e tij "provoi se Rusia po bëhet një shtet modern demokratik".
Njëzet e katër vjet më vonë, ai vetë mbetet në pushtet si president ose kryeministër dhe ka ndërhyrë me kushtetutën e Rusisë për të hequr kufijtë e mandatit dhe për të zgjatur gjatësinë e secilit mandat nga katër në gjashtë vjet. (A2 Televizion)