“Putin nuk do ta fitojë luftën”, Ukraina merr raketa nga Turqia, Rusia lëshon sulme

Nga Xhevahir Qardaku
9 Gusht 2026, 09:23 | Bota

Lufta në Ukrainë vijon të përshkallëzohet, ndërsa sulmet ruse me raketa dhe dronë godasin qytetet ukrainase dhe rrisin bilancin e viktimave civile.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaron se Vladimir Putin nuk do ta fitojë luftën dhe se Kievi nuk do të tërhiqet nga Donbasi.

Në një tjetër natë sulmesh, alarmet ajrore janë dëgjuar në Kiev, Dnipro dhe rajone të tjera, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase përballet me vështirësi në interceptimin e raketave dhe dronëve rusë.

Në Kharkiv, një sulm në lagjen Saltivskyi ka shkaktuar të paktën dy viktima dhe disa të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në një pallat të goditur.

Edhe Odesa është përfshirë në sulme me dronë dhe raketa balistike, me dëmtime në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë. Përballë intensifikimit të bombardimeve, Zelensky u ka kërkuar aleatëve sisteme dhe raketa interceptuese për Patriot, Samp/T, Nasams, Hawk dhe avionë F-16.

Kievi raportohet se ka blerë nga Turqia një sasi të konsiderueshme pajisjesh ushtarake amerikane, përfshirë 70 raketa taktike me rreze të gjatë ATACMS.

Sipas raportimeve, transferimi i këtyre armëve pritet të nisë në fund të muajit, ndërsa Ukraina kërkon të forcojë kapacitetet e saj përballë sulmeve ruse. Shqetësimi i Kievit rritet edhe përpara dimrit, pasi Zelensky paralajmëron se sulmet e vazhdueshme kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike të vendit.

Ndërsa luftimet vazhdojnë në front dhe sulmet ajrore godasin zonat urbane, Ukraina kërkon më shumë mbështetje nga aleatët për të mbrojtur qytetarët dhe infrastrukturën kritike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos